|
23
shkurt 2004 / TN
Ardian VEHBIU
“Black
Athena” ose “Athina e zeze” eshte nje veper disavellimshme tanime e
bujshme, te cilen po e boton historiani Martin Bernal e qe e ka bere
papritur aktual e te modes debatin mbi prejardhjen e kultures dhe te
qyteterimit ne Greqine e Lashte. Njekohesisht, ky studim me
frymemarrje te gjere meton te rithemeloje vete rrenjet ideologjike te
shkences historike indo-evropiane; pse kete shkence Bernal e mban si
te kontaminuar nga teorite raciste-ariane dhe antisemite te shekullit
XIX dhe paragjykimet e te gjithe atyre qe pane te popujt
indo-evropiane nje race superiore ndaj te gjitha te tjerave, prandaj
edhe fitimtare.
-
-
Vete
Bernal – hebre sefardik nga prejardhja dhe tani profesor ne Cornell
University (New York, SHBA) – nuk e fsheh strategjine e vet; pse
krejt hapur e deklaron se paradigma shkencore ne te cilen eshte e
inkuadruar dija indo-evropiane ekzistuese nuk u pershtatet me
rrethanave te sotme (post-moderne), prandaj edhe do rishikuar nen
driten e fakteve e te dhenave te reja, kritikes se metodave te
perdorura dhe sidomos rivleresimit te dokumentacionit qe na ka
mberritur nga lashtesia.
Objekt i
ketyre orvatjeve revizioniste kaq epike te Bernal-it eshte Greqia e
lashte, e cila qe prej Rilindjes evropiane e ketej eshte pare nga dija
si truall i nje qyteterimi te lire, njerezor e te shendetshem. Brenda
atij qyteterimi garantohej zhvillimi harmonik i arteve dhe i dijeve;
per here te pare ne histori linden e u levruan idete e demokracise dhe
te barazimtarise; mendja selitej njelloj si trupi e sensualiteti nuk
druhej perballe fanatizmit fetar, as pafajesia perballe frikes se
lindur ndaj ndeshkimit tokesor a hyjnor; e perseri per here te pare
shkenca u konceptua veçmas nga zbatimet praktike dhe filozofia njelloj
veçmas nga teologjia.
Dija
klasike e konsideron kete qyteterim si te perftuar ne menyre te
pavarur nga konteksti gjeokulturor; si nje krijim te mevetesishem, ose
si nje realizim praktikisht te paster te te gjitha potencialeve qe
bartte me vete vala indo-evropiane. Perkundrazi, Bernal merr persiper
te provoje, ne menyre te shumanshme, se qyteterimi e kultura greke nuk
jane indo-evropiane te kulluara, por vetem rezultat i nje perzierjeje
te nderliqshme te fiseve (barbare) indo-evropiane te zbritura nga
veriu me popullsite dhe kulturat mesdhetare qe gjellonin ne ate kohe
ne Mesdhe: dhe pikerisht me kulturat fenikase, egjiptiane e te tjera
me pak te njohura.
Dihet
boterisht se egjiptianet zhvilluan edhe ata nje qyteterim te
mrekullueshem e jetegjate ne brigjet e Nilit, nga i cili na kane
mbetur trashegim piramidat, tempujt, sfinksi, pikturat murale, mumjet
dhe nje mori mbishkrimesh hieroglifike te cilat tanime jane deshifruar
(pa permendur mistiken ezoterike, masonike e okulte); njelloj sikurse
dihet se fenikasit ishin lundertare te çartur te Mesdheut te lashte
(paragrek), duke ndihmuar keshtu vendimtarisht me perhapjen e
mallrave, kulturave materiale dhe formave kulturore nga njeri breg ne
tjetrin. Ishin pikerisht fenikasit qe u mesuan grekeve te lashte
alfabetin, kete instrument te pazevendesueshem kur eshte fjala per
t’ia hedhur themelet nje qyteterimi.
Ne disa
zona periferike te arealit grek, si ne Krete dhe ne Mikene, prania
fenikase dhe egjiptiane nuk mund te vihet ne dyshim e as eshte vene
ndonjehere prej arkeologeve. Vete greket e lashte, me gojen e
historianeve dhe te filozofeve te tyre, e kishin per te madhe te
pohonin se egjiptianet jo vetem ua kishin mekuar kulturen e
qyteterimin, por edhe u kishin dhene perendite e orakujt; madje mite
te tilla si ato te Danaosit me te drejte jane interpretuar si nje
prove sado e terthorte e marredhenieve jo vetem kulturore e tregtare,
por edhe etnike, midis dy brigjeve te Mesdheut.
Bernal,
i cili ne thelb e pranon kete version te lashte te marredhenieve midis
Greqise se lashte dhe qyteterimeve mesdhetare semitike qe i kishin
paraprire ne kohe, shkon edhe me tej. I nisur nga fakti se nje pjese e
mire e leksikut te greqishtes se vjeter nuk gjen dot vend ne tabelat e
rrenjeve indo-evropiane; por edhe nga prania ne trojet greke te lashta
e nje numri te madh toponimesh te pashpjegueshme me ane te greqishtes
vete a gjuheve te tjera indo-evropiane; si dhe nga pamundesia per te
etimologjizuar ne menyre te kenaqshme emrat e perendive greke te
lashtesise, ky autor parashtron hipotezen se te gjitha keto te
panjohura ne parahistorine e grekeve do te mund te gjenin nje shpjegim
te kenaqshem po te merreshin parasysh lidhjet etnike te paraardhesve
te grekeve me popujt semitike te Mesdheut, dhe pikerisht me fenikasit,
egjiptianet, e te tjere minore si hebrenjte.
Ne
vellimin e trete te vepres se vet, qe ende nuk eshte botuar, Bernal ka
premtuar te ndalet gjere e gjate ne shqyrtimin e hollesishem te
elementit semitik ne greqishten e vjeter; por edhe ne dy vellimet
nxjerre ne drite deri me sot, si dhe ne nje vellim te paparashikuar me
pergjigje ndaj kritikave qe iu bene “Athines se zeze”, gjendet nje
numer i madh etimologjish krejt revolucionare, te cilat sikur te ishin
te mireqena do t’i kthenin vertet permbys studimet klasike.
Natyrisht, studiuesit e gjuhes dhe te kultures se Greqise se lashte
nuk kane pritur te dilte ne skene Martin Bernal-i per t’u treguar
ekzistencen e elementeve joindo-evropiane ne leksikun dhe
toponomastiken greke, ose veshtiresite gati te pakapercyeshme te
inkuadrimit te sakte te Olimpit grek brenda nje teogonie
indo-evropiane te pranuar. Madje nje pjese e ketyre studiuesve i kane
mbajtur keto elemente per pellazgjike; qe ketej edhe interesimi per
pellazget e pellazgjishten, si dhe perpjekjet sporadike per te
hulumtuar lidhjet parahistorike te shqipes me ate kulture te
hipotezuar. Vete shqipja ka plot elemente te pasqaruara ne leksikun e
vet, siç e deshmojne edhe studimet etimologjike me te fundit; dhe
toponimia madhore ne trojet tona ne Ballkan mbetet etimologjikisht e
mjegullt.
Per disa
autore, pellazget ishin nje popull indo-evropian i afert me traket,
frigasit e dako-mizet, qe u parapriu fiseve greke gjate zbritjes epike
drejt Egjeut; per te tjere autore, pellazget s’ishin veçse nje emertim
konvencional per te gjitha ato popullsi joindo-evropiane qe gjeten
fiset indo-evropiane te grekeve (dhe te shqiptareve), kur u zhvendosen
drejt trojeve ku do te jetonin gjate periudhes historike. Ne
pergjithesi, kulturat dhe gjuhet paragreke ne Ballkan jane mbajtur si
caku i pertejme i shkencave te tilla si gjuhesia historike dhe
indo-evropianistika, sepse vetem me analiza te dhenash arkeologjike
eshte pothuajse e pamundur te nxirren perfundime per te qene, ne
lidhje me zanafillen kulturore te popullsive.
E reja e
teorive te Bernal-it ka te beje pikerisht me permbysjen e vektorit
gjeografik te kulturimit ne Evropen e lashtesise: pse sipas tyre
vertet fiset indo-evropiane mund te kene zbritur nga veriu drejt
jugut, por kulturimi ka levizur fillimisht ne drejtim te kundert; dhe
pikerisht fale ndikimit masiv te kulturave egjiptiane dhe fenikase, te
cilat benin ne ate kohe ligjin ne Mesdhe. Sipas Bernal-it, studiuesit
e deritanishem te lashtesise e kane shperfillur mundesine e nje leximi
te tille te fakteve te njohura, sepse kane qene nen ndikimin e
paragjykimeve pak a shume raciale (dhe raciste), sipas te cilave
Greqia e lashte eshte djepi i modernitetit, i konceptuar dhe i
zhvilluar krejt ne pavaresi nga kulturat qe i paraprine.
Tani ka
ardhur koha, thote Bernal, qe ky model “arian” i skajshem i shpjegimit
te lashtesise greke te rishikohet me themel, per te integruar ne te
elementet jashtezakonisht te fuqishme te ndikimit semitik ne gjenezen
e qyteterimit evropian. Nje rishikim i tille, mendon autori, e ka
vendin ne suazen e perpjekjes se perbotshme per ta çliruar shkencen
dhe ne pergjithesi dijen nga monopoli i “burrave te races se bardhe”;
pra brenda nje levizjeje te pergjithshme emancipimi te racave te tjera
dhe te pakicave kulturore, seksuale dhe fetare.
Tezat,
hipotezat dhe teorite e Bernal-it, ashtu siç jane parashtruar ne dy
vellimet e “Black Athena” qe jane botuar deri me sot, jane pritur
relativisht ftohte madje armiqesisht nga akademia, ose establishment-i
i studimeve klasike ne Evrope dhe ne SHBA. Kjo nuk eshte per t’u
habitur, po te kihet parasysh se orvatja e Bernal-it synon t’i jape
nje goditje vdekjeprurese mu ne zemer ketij establishment-i; por edhe
e sidomos ngaqe per nga metodat dhe kriteret e studimit, Bernal-i
duket se le shume per te deshiruar. Teorite e tij per ndikimin e
racizmit romantik evropian ne dijen indo-evropiane ngrihen mbi nje
shfrytezim shume perzgjedhes te burimeve; njelloj te brishta
tingellojne edhe hipotezat se fillesat egjiptiane dhe fenikase ne
qyteterimin grek jane shperfillur qellimisht nga dijetaret anti-semite
gjermane; dhe se tkurrja e studimeve egjiptiane ne Evropen e gjysmes
se dyte te shekullit XIX ka te beje me vullnetin ideologjik per te
provuar primatin indo-evropian ne kulturen perendimore.
Nga ana
e tyre, gjuhetaret i kane kritikuar ashper etimologjite semite te
fjaleve dhe toponimeve greke te lashta qe gjenden ne veprat e
derisotme te Bernal-it; pse keto nuk ndjekin metodat e pranuara per
etimologjite indo-evropiane, as parimet pergjithesisht pozitiviste te
gjuhesise historike-krahasuese. Shume studiues dhe akademike te
mirenjohur mendojne se teorite e Bernal-it nuk kane karakter shkencor,
por mbeshteten ne nje interpretim shume manipulativ te fakteve dhe ne
nje vizion me teper mitik sesa mirefilli shkencor te lashtesise
mesdhetare.
Vete
Bernal – studiues jashtezakonisht i kompletuar, i mprehte dhe erudit –
e pranon se qellimisht i eshte larguar pozitivizmit te dijes
“evropiane” dhe nevojes per t’iu permbajtur metodave te pranuara e te
sprovuara te kerkimit e te analizes; sepse sipas tij keto metoda dhe
pozitivizmi ne pergjithesi po luajne nje rol frenues e ne thelb
reaksionar ne raport me perparimin e dijes; dhe se nderrimi i
paradigmes qe ai propozon ka te beje jo vetem me interpretimin e
historise se lashte te Mesdheut, por edhe me vete metodat te cilave do
t’u besohet interpretimi ketej e tutje. Per Bernal-in, ky nderrim
paradigme do t’i rrenoje sfratet tanime te rregjuara te shkences “se
bardhe”, per te lene te shperthejne prurjet e kulturave “me ngjyre”;
qe ketej edhe titulli i librit te tij, “Athena e zeze”, i cili i shkel
syrin hipotezes se greket i huajten perendite e tyre prej
egjiptianeve, dhe egjiptianet vete ne thelb paskeshin qene te races se
zeze.
Me fjale
te tjera, epoka e re qe kerkon te peruroje Bernal-i ne studimet
historike e parahistorike, do te tregoje sesi shume arritje themelore
ne kulture e qyteterim te races se bardhe, burojne ne te vertete nga
ndihmesa e huazime te drejtperdrejta prej popujve me ngjyre, ne
periudhen e ngjizjes se qyteterimit grek te lashte. Te keta popuj “te
zinj” Bernal-i fut pas gjase edhe semitet e vet, sadoqe keta jane
mbajtur per te bardhe deri edhe nga nje pjese e racisteve me te bindur
te shekullit XIX; por ndoshta nuk ia vlen qe ta kokoleps me tej kete
artikull me teharrjen e nje argumenti kesisoj.
Problemi
me teorite e Bernal-it nuk ka te beje aq me kontroversialitetin e
tyre, as me bazimin shkencor te pamjaftueshem ose thjesht jokorrekt;
por me karakterin e tyre ideologjik dhe manipulativ. Jo rastesisht,
“Athina e zeze” u pershendet e perqafua nxehtesisht nga shume
perfaqesues te post-modernizmit ne studimet historike, kulturore dhe
antropologjike; titullare militante te katedrave te shkencave humane
ne universitete e kolegje zezakesh ne SHBA e ne te tjera qendra te
“afirmimit” te kultures “se zeze” ne SHBA, Afrike e gjetiu; ku prej
vitesh kishin gjetur strehe sharlatanet, demagoget, mashtruesit, te
fantaksurit dhe shamanet manipulatore te frustracionit zezak anembane.
Bernal-i u dha ketyre pikerisht çka u kishte munguar deri me sot: nje
aparat teorik te plote e te kolauduar per te sulmuar dijen
“perendimore”, ne emer te nje “çlirimi” te paperkufizueshem me holle;
ose te nje rivendikimi ne thelb qesharak te primateve kulturore.
Keta
profete te genjeshtert kane marre tani udhet, gjithnje te frymezuar qe
ta zgjidhin çeshtjen raciale ne SHBA dhe gjetiu pikerisht duke i fryre
zjarrit te mosmarreveshjeve midis racave, ose edhe “racave”. Jo me kot
suksesi i “Athines se zeze” koincidon me epidemine e pabesueshme te
korrektesise politike, qe ia ka thyer gjunjet kultit racional te se
vertetes ne akademine amerikane; meqe tanime kjo e vertete mund te
shtremberohet e te perlyhet ne emer te mbrojtjes se ndjeshmerise e te
interesave te grupeve e te pakicave etnike, racore e kulturore; ne
kuptimin qe “shkenca” do ta gjeje kuptimin e vet ne ate mase qe u
sherben grupeve dhe komuniteteve per t’u afirmuar ne arenen e
ballafaqimit publik.
Per
albanologjine, pasojat e ketij nderrimi paradigmatik ne horizont nuk
do te jene te menjehershme, as te krahasueshme me çka ndodhi pas
perfundimit te Luftes se Ftohte; por nuk me duket se do pritur ndonje
e mire nga diskreditimi a pergenjeshtrimi i hapet i studimeve
indo-evropiane dhe damkosja e indo-evropianizmit si shkence “raciste”,
sidomos ngaqe financimet ne fusha tradicionale e te lidhura me
albanologjine do te vijne detyrimisht duke u pakesuar; dhe akademia,
edhe nese do t’u mbijetoje sulmeve vdekjeprurese te Bernal-it, do te
shpenzoje kohe, rezerva dhe energji te çmuara per te kundershtuar
mistifikimet e tij dhe per te kontrolluar histerine e pasuesve dhe
ithtareve te tij.
Perndryshe, edhe ne pellazget e djeshem, do te gdhihemi ndonje dite te
bukur te dyndur nga arkeologe dhe fondacione te Athines se Zeze, qe te
jene duke rremuar e qemtuar me pasion e dollare per relike
egjiptiano-fenikase e statuja hijerenda nubianesh ne shkallaret e
kamaret e amfiteatrove te Durresit e te Butrintit; ne hije te
mermereve te hajthem te Apollonise e ne heshtjen e varrezave te
mjegullta te ilireve te Selces. Ende teper e larget ajo dite, vertet;
por nderkohe, dikush qe tani ndoshta ka zene te pergatitet e te
specializohet per ta ndjelle.
|
|